Ancelotti dhe menaxhimi i duhur, si u shndërrua sulmi i Brazilit

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 18:23 | Futboll

Ancelotti dhe menaxhimi i duhur, si u shndërrua sulmi i Brazilit

Një trajner është si një baba. Është një klishe, një slogan, por jo gjithmonë është kështu. Carlo Ancelotti ka lojtarë shumë të ndryshëm midis sulmuesve të tij, dhe për secilin prej tyre ai ka zgjedhur një qasje të ndryshme.

Në privatësinë e kampit stërvitor të Morristown, gjërat janë të menaxhuara sa më mirë të jetë e mundur. Ky është Brazili, gjithçka zmadhohet, duhet të komunikosh dhe të komentosh. Njerëzit flasin, kërkojnë, gjykojnë. Dhe linja e zgjedhur nga Ancelotti me stafin e tij është e qartë si kristali.

Vinicius i zhbllokuar - Për muaj të tërë, trajneri i Brazilit na ka thënë se kjo do të jetë Kupa e Botës e Vinicius, dhe kështu është. Sulmuesi i fishkëllyer nga tifozët e Realit në Bernabeu ka qenë i përfshirë në të gjashtë golat e Brazilit në këtë Kupë Bote: katër prej tyre janë të tijët, plus një asist dhe një gjuajtje e devijuar nga Matheus Cunha.

"Carlo më kërkon të bëj lëvizje të caktuara dhe po funksionon. Ai padyshim e kupton futbollin," tha Vini disa ditë më parë para mediave. Dhe mbrëmë, duke komentuar për golin e tij të parë me kokë në dy vite, u shpreh: "Carlo më tha se do të më jepte një dhuratë nëse shënoja me kokë”.

Ancelotti e “përkëdhel” Vinin, duke e ditur se ai është ylli i tij i vetëm i madh (Neymar është një temë më vete), se gjithçka varet prej tij. Ai i tregoi besim të verbër kur lojtari i Real Madridit kishte shifra të këqija në ekipin kombëtar, 8 gola në 49 ndeshje. Ancelotti e kishte zhbllokuar Vinin kur ai mbërriti në Madrid, dhe bëri të njëjtën gjë për Brazilin.

"Vini është shumë i mirë," tha trajneri italian mbrëmë, shkruan A2.

Qendërsulmuesi - Trajneri Ancelotti filloi Botërorin me Igor Thiago sepse donte të provonte qendërsulmuesin klasik. Nuk funksionoi, kështu që ai vendosi për Matheus Cunha, qendërsulmuesin e United: 3 gola në 2 ndeshje.

Të rinjtë - Carlo Ancelotti ka dy lojtarë të lindur në vitin 2006. Endrick, shumë të vlerësuar, dhe Rayan e panjohur, i cili luan për Bournemouth. Të gjithë duan të parin, por në vend të tij luan i dyti. Ai u zgjodh si zëvendësues për Raphinha e dëmtuar dhe mbrëmë u bë titullari i parë i Brazilit nën 20 vjeç në një Kupë Bote që nga viti 1970.

Ironi kundër tensionit - Me Endrick-un, të cilin Ancelotti e kishte tashmë te Real Madridi, por rrallë e përdorte, trajtimi është i ndryshëm: "Endrick është një talent i jashtëzakonshëm dhe ka një cilësi të shkëlqyer: durimin. Edhe familja e tij e ka këtë cilësi. Ai do të jetë një lojtar kyç në Kupën e Botës të ardhshme dhe do të ketë vend edhe në këtë." Shkurt, Ancelotti ka qetësuar një atmosferë shumë të nxehtë mbi këtë temë. Në Brazil mendojnë se Endrick është një fenomen. Për fat të mirë për Carlon, marrëdhënia e tij me djaloshin e Madridit është bërë meme, ironia ka mbizotëruar mbi tensionin dhe një galeri qesharake me skica sureale është krijuar në mediat sociale, me temën "çfarë duhet të bëjë Endrick për të luajtur?", me trajnerin që bën gjithçka për të shmangur përdorimin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos