Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Në fitoren 5-0 të Portugalisë ndaj Uzbekistanit, sulmuesi 41-vjeçar u bë futbollisti i parë në histori që shënon gol në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Rekordi i tij tashmë shtrihet nga Botërori i vitit 2006 në Gjermani deri te ai i vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, një arritje që asnjë lojtar tjetër nuk e ka realizuar më parë. Shkruan A2 CNN.
Debutimi i Cristiano Ronaldos me Portugalinë erdhi më 20 gusht 2003, kur ishte vetëm 18 vjeç. Më shumë se dy dekada më vonë, ai mbetet kapiteni dhe lideri i kombëtares portugeze. Ronaldo numëron 230 paraqitje dhe 145 gola me fanellën e Portugalisë, duke qenë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të kombëtareve.
Në Kupat e Botës ai ka luajtur në gjashtë turne dhe pas dopietës ndaj Uzbekistanit arriti në 10 gola, duke kaluar legjendën portugeze Eusébio si golashënuesi më i mirë i Portugalisë në historinë e Botërorëve.
Edhe pse ka nxjerrë legjenda si Cristiano Ronaldo dhe Eusébio, Portugalia nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Botës. Arritja më e madhe mbetet vendi i tretë në debutimin historik të vitit 1966, ndërsa që nga viti 2002 portugezët janë kualifikuar në shtatë Botërorë radhazi.
Për shumë tifozë, Botërori 2026 konsiderohet si “vallëzimi i fundit” i Ronaldos dhe ndoshta shansi i fundit i gjeneratës së artë portugeze për të hyrë në histori. (A2 Televizion)