Zgjedhjet në SHBA, arrestohet një person i armatosur në Capitol Hill

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2024, 20:37 | Bota

Zgjedhjet në SHBA, arrestohet një person i armatosur në Capitol

Një burrë është arrestuar në qendrën e vizitorëve të Capitol Hill, në vazhdën e zhvillimeve që po shoqërojnë procesin e votimit për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Mediat amerikane raportojnë se personi i arrestuar mbante erë karburant dhe kishte një elektrik dore, e po ashtu një pistoletë në momentin që u ju vunë prangat, raporton A2.

Ndërkohë, qendra e vizitorëve është mbyllur ndërsa policia po heton për rastin.

Ndalimi i një personi të armatosur vjen rreth një orë pasi agjentët e FBI-së arrestuan në Miçigan dy persona lidhur me kërcënime të bëra në lidhje me zgjedhjet.

Njëri nga të dyshuarit, Isaac Sissel, akuzohet për përfshirje në një komplot për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump. Sissel thuhet se ka postuar në platformën Reddit nën pseudonimin "ShootUpTrumpRally" dhe i ka thënë hetuesve se beson se “gjithçka do të ishte më mirë nëse Trump do të vdiste”. Autoritetet janë duke vijuar hetimet për të kuptuar motivet dhe lidhjet e tij të mundshme me grupe të tjera, shkruan A2.

Në rastin e dytë, Christopher Clay Pierce, 46 vjeç, nga qyteti Jackson, akuzohet për kërcënime ndaj një komiteti veprimi politik (PAC) të lidhur me Partinë Demokratike gjatë dy viteve të fundit.

Sipas burimeve, Pierce ishte paralajmëruar më parë nga FBI-ja se mund të përballej me akuza penale nëse do të vazhdonte me postimet kërcënuese ndaj këtij grupi të mbështetur nga demokratët. Megjithatë, ai kishte vazhduar të publikonte mesazhe të frikshme në internet, duke e çuar situatën deri te ndërhyrja e autoriteteve.

Sakaq, ish-presidenti Donald Trump deklaroi pas votimit se nuk mendon që është e nevojshme t'u thotë mbështetësve të tij të mos përdorin dhunë dhe të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ai humbet.

“Nuk kam nevojë t’u them një gjë të tillë,” tha Trump kur u pyet nëse do t’i drejtohej mbështetësve të tij me një thirrje kundër dhunës, shkruan A2.

“Por, do t’u thoshit?” e pyeti gazetari.

“Nuk kam nevojë t’u them që të mos ketë dhunë. Sigurisht që nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nuk kam pse t’u them këtë gjë. Unë sigurisht që nuk dua dhunë, por nuk kam nevojë t’u them asgjë. Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë njerëz që nuk besojnë në dhunë. Ndryshe nga pyetja juaj. Ju besoni në dhunë,” tha Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos