Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave Javelin me vlerë prej 75 milion dollarësh. Këtë e konfirmoi Departamenti Amerikan i Shtetit, që sqaroi se ka vendosur të miratojë shitjen e huaj ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Atje do të përfshihen gjithashtu edhe element logjistik të stërvitjes dhe përdorimit të tyre.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”.
Tani kërkesa i shkon Kongresit Amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”.
Forcimi i ushtrisë është bërë një ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Kosovës që ka shumëfishuar fondet në këtë drejtim. Sistemi i raketave anti-tank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por përgjatë viteve ka pësuar përditësim të vazhdueshëm.
Për herë të parë, raketat “Javelin” u përdorën në Irak në vitin 2003 dhe fituan popullaritet gjatë luftës mes Ukrainës dhe Rusisë ku rezultuan mjaft efikase. Raketa mund të shkatërrojë tanke moderne duke i goditur nga lart. Rrezja e përdorimit është nga 2500 deri në 4750 metra. (A2 Televizion)