Ankesa ndaj Gjykatës Speciale, Pjetër Shala: Dy muaj pas dënimit nuk më është dhënë vendimi në shqip

Nga Ideal Gola
20 Shtator 2024, 23:38 | Aktualitet

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala dhe avokatët e tij janë ankuar ndaj Gjykatës Speciale në konferencën e Apelit për mungesën e aktvendimit në gjuhën shqipe, shkruan A2.

Shala, që dy muaj më parë u dënua më 18 vite burgim me pretendimet për ndalim arbitrar dhe torturë në fabrikën e metalit në Kukës, thotë se e ka të pamundur të bashkëpunojë me avokatët për të apeluar vendimin.

“Unë akoma nuk e kam aktvendimin të përkthyer. Unë nuk di si të ankohem kur nuk e di se në çfarë mënyre dënohem. Më jepet aktvendimi, dënohem për vrasje që unë s’kam vra kurrë në jetën time askënd”, deklaroi Shala.

Ai tha se gjatë seancave kur është shpallur fjala përfundimtare në korrik kishte kuptuar se mbi 200 fjali ishin të ndryshuara: “Vetëm për tri ditë gjetëm mbi 213 fjalë të ndryshuara, jo gabimisht të përkthyera, por të ndryshuara. Unë nuk e kam akoma në gjuhën shqipe, duke pa rrjedhat e gjykimit tim prej fillimit deri në tri ditët e fundit”.

Mirëpo, përgjigja për këto ankesa ishte se një variant i redaktuar i aktvendimit do të publikohet pas një muaji.

Michele Picard, kryetare e panelit të Apelit, u shpreh: “Ka disa shqetësime apo arsyetime të sigurisë që justifikojnë mbajtjen konfidenciale të disa informatave. Po rikujtoj se çfarë tha trupi gjykues kur u dha dënimi se varianti i redaktuar do të lëshohet në momentin e duhur. Kjo do të bëhet në fund të tetorit”.

Përpos Pjetër Shalës, deri tani Gjykata Speciale ka dënuar edhe Salih Mustafën, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, me dy të fundit që tashmë janë liruar me kusht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos