Programi i Bashkimit Evropian dhe Kosovës për sektorin e drejtësisë i njohur si Eukojust u vlerësua se ka sjellë rezultate të rëndësishme.
Në konferencën përmbyllëse që u mbajt pasditen e së mërkurës në Prishtinë, u tha se mbështetja e këtij programi u fokusua në forcimin e kapaciteteve dhe koordinimin ndërinstitucional, pavarësinë, paanshmërinë e llogaridhënien, konsolidimin, harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit.
“Sektori ynë i drejtësisë përgjatë viteve ka qenë përfitues i shumë projekteve mbështetëse ndërkombëtare, projekte këto kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve dhe në reformën e sistemit të drejtësisë. Shumë prej këtyre projekteve të cilat janë zbatuar janë financuar pikërisht nga Bashkimi Evropian i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në përpjekje ndërkombëtare për ta përafruar Kosovën me standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare duke synuar rritjen e efektivitetit dhe efikasitetin të sistemit të drejtësisë”, tha ministrja Albulena Haxhiu.
Bashkimi Evropian ka ndarë 7 milionë euro për këtë program i cili nisi në tetor të vitit 2020.
“Eukojust ka mbështetur një listë shumë të madhe të reformave të ndryshme që kanë të bëjnë me drejtësinë administrative dhe civile, këto ligje kanë pasur për qëllim që të themelohen gjykata të reja siç është Gjykata Administrative duke promovuar stabilizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe duke bërë drejtësinë civile më efikase duke hartuar kodin e procedurës civile dhe miratimin e ardhshëm të kodit civil”, deklaroi ambasadori i BE në Kosovë.
Eukojust tha se ndikoi edhe në përmirësimin e qasjes në drejtësi për gratë dhe grupet e cenuara ose të margjinalizuara. (A2 Televizion)