Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se sezoni turistik ka nisur me një numër rekord vizitorësh, ndërsa këtë vit është futur një tipologji e re e plazheve publike të menaxhuara nga bashkitë. Sipas tij, krahas plazheve të lira, ku qytetarët mund të përdorin çadrat dhe pajisjet e tyre pa pagesë, disa bashki ofrojnë plazhe publike me shërbime të plota, si çadra, shezlongë, dushe dhe mirëmbajtje, për të cilat aplikohen tarifa të përcaktuara.
“Kemi një risi të rëndësishme sivjet sa i takon menaxhimit të stacionit të plazhit për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg sa i takon çmimeve dhe tarifave dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në disa bashki mund të jetë 400 lekë. Një çadër bashkë me dy shezlongë në disa bashki mund të jetë 700 lekë, në bashki të tjera mund të jetë 1000 lekë. Dhe kjo gjë është bërë sepse në varësi të llojit të plazheve, në varësi të raportit të madhësisë së plazheve me numrin e pushuesve, për shembull kur shkojmë drejt jugut, drejt Ksamilit, natyrisht që kostot e mirëmbajtjes së këtyre plazheve dhe kostot që janë gjatë periudhës jashtë sezonit për t'i mbajtur rërën, për të ruajtur plazhet nga erozioni, nga ndikimi i detit gjatë dimrit e të tjerë, kostot që bashkitë kanë, kostot që këto brigje kanë janë shumë më të larta. Për këtë arsye edhe kërkesa është e lartë. Njëkohësisht ka disa tarifa që janë pak më të larta si kjo që sapo përmenda”, tha Gonxhja.
Ministri theksoi se kjo skemë ka ndikuar edhe në frenimin e çmimeve në plazhet private, pasi ato tashmë konkurrojnë me plazhet publike të menaxhuara nga bashkitë.
“Duhet të theksoj që tipologjitë e plazheve kanë bërë të mundur që dhe plazhet private, të menaxhuara nga subjekte private të ruajnë në çmimet e tyre këto tavane, sepse e kanë të konkurrueshme ofertën e tyre nga këto plazhe që menaxhohen nga bashkitë. Rritet aksesi i publikut, rritet cilësia dhe garantohet për publikun, për çdo xhep, për çdo qytetar, mundësia për të pasur një akses shumë më ekonomik, por edhe të garantuar nga shërbimi, sepse plazhi nuk është vetëm rrimë dhe pushojmë apo lahemi, por ne aty konsumojmë”.
Gonxhja bëri të ditur se task-forca ndërinstitucionale për sezonin turistik ka nisur punën për garantimin e furnizimit me shërbime, pastërtisë dhe koordinimit mes institucioneve. Ai apeloi qytetarët të tregojnë kujdes për mjedisin dhe të frekuentojnë plazhe të menaxhuara, ku ka vrojtues dhe sinjalistikë, veçanërisht kur shoqërojnë fëmijë, për të shmangur aksidentet në zona të pambikëqyrura. (A2 Televizion)