Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart Munsch, zgjodhi ceremoninë e ndërrimit të komandës në KFOR për të çuar disa mesazhe ndaj lidershipit kosovar.
Fillimisht, në prani edhe të kryeministrit Albin Kurti, ushtaraku amerikan tha se NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë si e vetmja platformë për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve.
“Të veprosh jashtë këtij dialogu, të veprosh pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu, ose të grindesh se çfarë duhet të përfshihet ose përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë. Për më tepër, qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë këtij dialogu në mënyrë të panevojshme përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale dhe dëmtojnë në mënyrë të panevojshme reputacionin e tyre si partnerë ndërkombëtarë të besueshëm”, tha admirali.
Admirali Munsch, i cili qëndron mbi komandantin e KFOR-it në hierarki, u shpreh kundër edhe hapjes së urës së Ibrit.
“Politika e NATO-s mbi urën është që të mos hapet në këtë moment dhe se ajo duhet t'i nënshtrohet dialogut ndërmjet palëve të interesuara. Në këtë pikë është një çështje politike dhe jo një çështje ushtarake. Arsyeja pse nuk duhet të hapet është për shkak të mundësisë që të ketë tensione”, shtoi ai.
Admirali Munsch, pas interesimit të mediave, foli edhe për bazat ushtarake serbe në kufi me Kosovën dhe pretendimeve të autoriteteve të Prishtinës për stërvitjet e grupeve të armatosura për sulm të mundshëm ndaj Kosovës.
“KFOR-i mban komunikim të hapur dhe transparent me organizatat e sigurisë në rajon. Jemi në gjendje të kuptojmë aktivitetet e tyre dhe në këtë kohë nuk ka ndonjë shqetësim. Përpos këtyre ka edhe grupe kriminale që veprojnë në rajon që është në fushën e zbatimit të ligjit dhe KFOR nuk vepron në këtë fushë”, shtoi Munsch.
Admirali i NATO-s u shpreh se mandati i KFOR-it në Kosovë është për një mjedis të sigurt, për çka shtoi se ka sfida të vazhdueshme. (A2 Televizion)