Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar edhe nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës, shkruan A2.
“Gjatë diskutimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen e NATO-s, për lirinë e Kosovës si dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë".
Presidentja Osmani ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Misioni paqeruajtës i Aleancës Veriatlantike (NATO) – KFOR-i në Kosovë ka ndërruar komandën. Ky mision tashmë do ta ketë një gjeneralmajor nga Italia, Enrico Barduani. (A2 Televizion)