
E vetmja mënyrë për largimin e kryeministrit në mënyrë kushtetuese është dorëheqja e tij, pasi parlamenti nuk ka hapësira ligjore për të ndryshuar pushtetin. Këtë deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, avokati Indrit Sefa, duke komentuar kërkesat e protestuesve.
“Kryeministri sot nuk shkarkohet dot ligjërisht. Duhen 140 vota që të shkarkohet kryeministri ligjërisht në parlament. Ata kërkojnë të japë dorëheqjen. Dorëheqja është akt individual rritet presioni publik e politik. Ky është qëllimi i protestuesve. Me kushtetutën e sotme nuk rrëzohet dot kryeministri. Duhen 71 për ta rrëzuar dhe 71 për të pasur kryeministrin aty. Në parlament nuk rrëzohet dot. E vetmja mënyrë për të ikur kryeministri në mënyrë kushtetuese është të japë dorëheqjen. Nuk ka hapësira ligjore në parlament për të ndryshuar pushtetin. Njerëzit kanë dalë aty se nuk kanë hapësirat ligjore për ndryshimin e qeverisë”.
Sipas tij shkaku kryesor që kemi një kryeministër kaq të pushtetshëm është për shkak të ndryshimeve kushtetuese në 2008, ku forcat e tjera e kanë të pamundur të përfaqësohen në parlament.
“Protesta ka vajtur shumë mirë, protesta masive, të jashtëzakonshme, kauza kryesore dorëheqja e kryeministrit është mbështetur nga shumë qytetarë. Është kërkesë legjitime. Kërkesa tjetër për ndryshimin e kastës politike tregon që janë të lodhur nga kjo klasë politike në 35 vite. Fakti është që dy drejtuesi e 2 partive kryesore i konsideron bashkëfajtorë në disa vendimmarrje të rëndësishme. Kërkesa për ndryshim të Kodit Zgjedhor tregon që i bën fajtorë të dy palët. Fakti që kemi një kryeministër kaq të pushtetshëm është për shkak të ndryshimeve kushtetuese në 2008. Kërkesa për kodin zgjedhor marrëveshje mes dy forcave politike dhe forcat e tjera e kanë të pamundur të përfaqësohen në parlament”. (A2 Televizion)