Projekti “Smart City”, Berisha: Rama po survejon protestuesit si në komunizëm

Nga Anesti Barjamemaj
23 Qershor 2026, 15:06 | Politikë

Sali Berisha deklaroi se vendosja e kamerave inteligjente në rrugët kryesore të qyteteve dhe administrimi i tyre nga policia është kthim në diktaturë. Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike tha se me projektin Smart City po survejohet çdo lëvizje e protestuesve përmes kamerave robotike.

“Smart City është një projekt i bazuar në kamerat robotike, me rezolucion shumë të lartë dhe aftësi të mëdha, që në Evropë administrohet totalisht nga bashkitë dhe që është kryekëput në funksion të shërbimeve ndaj qytetarëve. U lutem, këtu keni një kamerë robotike që survejon ditë e natë protestën, kryengritjen paqësore të qytetarëve dhe rinisë shqiptare”.

Akuza tjetër e Berishës ndaj projektit ‘Smart City’ është devijimi nga qëllimi fillestar. Sipas tij kamerat nuk administrohen nga bashkitë për shërbimet e qytetarëve, por nga policia, të cilën e quan të korruptuar dhe në shërbim të krimit.

“Kamerat që duhet të administrohen tërësisht nga bashkia në interesin më të mirë të qytetarëve, administrohen tani nga narkopolicia për survejimin e rreptë të qytetarëve... Projekti i narkoshtetit shqiptar. 20 qytete dhe pikat kufitare. Nën administrimin e narkopolicisë së shtetit- do të thotë karteleve të drogës”.

Berisha komentoi dhe intervistat e kreut të qeverisë për mediat ndërkombëtare, duke dënuar gjuhën e përdorur prej tij ndaj kujtdo që e kritikon.

“Dënoj me forcën më të madhe sharjet e pakualifikueshme që Edi Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. U garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Edi Rama ka përdorur në Financial Times ndaj shqiptarëve”.

Demokratët mbështesin kërkesat e protestuesve, për të cilat kanë kërkuar edhe mocion me debat në Kuvend, teksa protesta kundër qeverisë është në ditën e 24-ët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos