“Burrat veç, gratë veç”, sherr në plazhin e vetëm të ndarë sipas gjinisë në Europë

Nga A2 CNN
23 Qershor 2026, 14:51 | Lifestyle

“Burrat veç, gratë veç”, sherr në plazhin e

Një incident i pazakontë ka ndodhur në plazhin Pedocin të Triestes, i njohur si plazhi i vetëm në Europë ku burrat dhe gratë pushojnë në zona të ndara me mur.

Përplasja ndodhi të shtunën pasdite, kur një grua e re, e cila ndodhej në plazh së bashku me partnerin e saj, vendosi të qëndronte në sektorin e rezervuar për burrat, përcjell A2 CNN. Sipas mediave italiane, ajo u afrua nga një tjetër pushuese, e cila i kërkoi me mirësjellje të respektonte rregullat e plazhit dhe të zhvendosej në zonën për gratë.

“Burrat veç, gratë veç”, sherr në plazhin e

Kërkesa shkaktoi reagimin e ashpër të turistes, e cila e cilësoi ndarjen sipas gjinisë si diskriminuese dhe të vjetëruar. Ajo kritikoi traditën e plazhit, duke e quajtur “mesjetare” dhe duke deklaruar se praktika të tilla nuk i përkasin Italisë moderne.

Sipas dëshmitarëve, debati u përshkallëzua kur gruaja iu afrua në mënyrë kërcënuese pushueses tjetër, një 50-vjeçare që kishte hyrë në sektorin e burrave për të ndihmuar bashkëshortin dhe djalin e tyre me aftësi të kufizuara. Në incident u përfshi edhe një punonjëse e plazhit, e cila thuhet se u shty gjatë përplasjes.

“Burrat veç, gratë veç”, sherr në plazhin e

Situata u qetësua falë ndërhyrjes së disa burrave që ndodheshin në plazh. Pas incidentit, çifti u largua nga Pedocin, duke kërkuar gjithashtu rimbursimin e biletës së hyrjes prej 2,40 eurosh.

Plazhi Pedocin ndodhet pranë qendrës së Triestes dhe prej më shumë se një shekulli ruan traditën e ndarjes së pushuesve sipas gjinisë. Gratë dhe fëmijët deri në moshën 12 vjeç qëndrojnë në njërën anë të murit, ndërsa burrat në anën tjetër. Ata që dëshirojnë të takohen me pjesëtarë të gjinisë tjetër duhet të notojnë për disa dhjetëra metra në det, një zakon që vazhdon të ruhet edhe sot. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos