Mirëpritet nga ndërkombëtarët, Kosova hap kufirin për produktet e gatshme serbe

Nga Ideal Gola
8 Tetor 2024, 20:25 | Aktualitet

Mesditën e së martës hyri në fuqi vendimi që produktet e gatshme serbe të mund të hyjnë në Kosovë vetëm përmes pikës kufitare në Merdare, pas më shumë se një viti që kur u vendos masa e ndalesës së tyre për arsye sigurie.

Kamionët që hynë shoqëroheshin nga patrullat policore si dhe ato të Doganës së Kosovës deri në terminal.

Arsye pse Merdare u zgjodh si pikë e kalimit kufitar për të hequr masën e sigurisë ndaj produkteve serbe është pikërisht afërsia që ka me terminalin doganor ku kamionët që hyjnë nga Serbia do t'i nënshtrohen një kontrolli të detajuar manual nga doganierët dhe policët kosovarë.

Kontrollimi i detajuar solli vonesa për transportuesit e tjerë që sillnin nga Serbia lëndë të parë e cila nuk ka qenë pjesë e masës për ndalim.

“Po kemi problem edhe në kufi kontroll të shtuar, edhe në doganë shumë kontroll të shtuar, dje kemi hyrë në ora 16:00, sot kemi pasur të kthehemi e të ngarkohemi sërish nesër, por ne tash nuk mund të kthehemi”, tha Visar Rexhepi, transportues i grurit.

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se masa e ndalimit do të mbetet në fuqi në pikat e tjera kufitare.

“Pikat e tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare”, tha Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, shkruan A2. 

Për të parë nga afër hyrjen e mallrave serbe, në Merdarë erdhën edhe përfaqësues të Bashkimit Europian, Ambasadës amerikane si dhe asaj gjermane.

“Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Për të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”, zyra e BE në Kosovë.

Ambsadori amerikan Jeffrey Hovenier u shpreh i kënaqur me vendimin për heqjen e ndalimit për mallrat serbe.

“Jam i kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën, në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne i vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA, transmeton A2 CNN.

Gjermania, që insistoi në heqjen e kësaj mase madje kërcënoi Kosovën me përjashtim nga Procesi i Berlinit, gjithashtu mirëpriti vendimin.

“Tregtia e lirë jo vetëm që nxit ekonomitë lokale e rajonale, por gjithashtu hap dyert për pjesëmarrje në iniciativat rajonale dhe evropiane”, tha Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë.

Për shkak të dyshimeve se me kamionët serbë hyjnë edhe armë, disa vende perëndimore i kanë premtuar Kosovës skanerë që të vendosen në pikat kufitare me Serbinë ku do të mund të kishte kontroll përmes rrezeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos