NATO ka njoftuar se do të zvogëlojë numrin e trupave në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë. Vendimi u njoftua nga komandanti suprem i forcave aleate në Europë, Alexus Grynkewich.
“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Për rrjedhojë, në janar, NATO i dha fund dislokimit të forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të pandërprerë. Meqenëse situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do të përshtatë gradualisht nivelin aktual të forcave të saj gjatë vitit të ardhshëm", tha Alexus Grynkewich.
Përpara këtij njoftimi, diplomatët evropianë kishin sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara synonin të reduktonin numrin e forcave të tyre në KFOR. NATO nuk ka dhënë detaje se cilat njësi ushtarake do të tërhiqen, por në një njoftim rikonfirmoi angazhimin për ruajtjen e sigurisë në Kosovë.
"NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuara për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ky përkushtim ka kontribuar në rritjen e stabilitetit, ndërsa institucionet e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta dhe më të përgatitura. Kushtet aktuale krijojnë mundësinë që madhësia dhe vendosja e KFOR-it të optimizohen edhe më tej”, deklaroi Alexus Grynkewich.
Gjenerali Grynkewich ritheksoi gjithashtu angazhimin e fortë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siguria e të cilit është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës euro-atlantike. Ai shtoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajon.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur në vitin 1999. Nga afro 50 mijë trupa që u dislokuan në atë kohë, menjëherë pas përfundimit të luftës, aktualisht në Kosovë ndodhen rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme. (A2 Televizion)