Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga vendimi për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh se rregullorja e re BQK-së ka për qëllim të mbrojë integritetin financiar dhe sistemin e pagesave.
“Mekanizmat e Qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregullore do të fokusohen në plotni që në këtë fazë tranzitore të investojnë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve e jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, tha Bislimi.
Sipas Prishtinës zyrtare, qytetarët serbë pranojnë pensionet e Kosovës nëpërmjet llogarive bankare dhe në valutën euro, prandaj ky ndryshim nuk do të jetë i vështirë për ta.
“Janë mbi 40 mijë llogari bankare të cilat janë në dispozicion të qytetarëve të komunitetit serb në Republikën e Kosovës, të cilët mund të pranojnë pagesa në ato llogari edhe ndërkombëtare”, u shpreh ministri Murati.
Në lidhje me shqetësimet e Beogradit për ndihmat që iu dërgon serbëve të Kosovës, Bislimi mendon se shqetësimi i Vuçiç është diku tjetër.
“Ka keqpërdorime të mëdha në emër të mbështetjes për serbë, mendoj që këtu është halli që vendosja e transparencës do të nxjerr në pah këto keqpërdorime, këtë pastrim të parave në nivel të madh i cili pastaj ka mund të përdoret për armatosje në veri, ka mund të përdoret për lobim politik dhe korrupsion politik brenda dhe jashtë Serbisë dhe kjo është brenga e atyre që po e problematizojnë”, shtoi zv/kryeministri.
Ndërkombëtarët në javën e fundit i kishin kërkuar qeverisë së Kosovës dhe BQK-së shtyrjen e zbatimit të rregullores së re që zyrtarisht hyn në fuqi nesër.
(A2 Televizion)