Siguria në Kosovë dhe bashkëpunimi me NATO-n ishin në qendër të takimeve të ndara të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me admiralin amerikan George M. Wikoff, që është shef i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë. Takimet me të u zhvilluan në Prishtinë dhe Deçan.
Kurti e priti admiralin Wikoff në Zyrën e Kryeministrit, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
"Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Wikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s", shkroi Kurti në Facebook për këtë takim, transmeton KosovaPress.
Ndërkaq, Haradinaj e priti admiralin amerikan në Deçan, në një takim të organizuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. "Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit", deklaroi Haradinaj. Ai falënderoi mysafirin për angazhimin e tij dhe mbështetjen që NATO-ja vazhdon t'i japë Kosovës.
"Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin personal të admiral Wikoff dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe forcat e NATO-s japin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë", tha Haradinaj.
Sipas tij, partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Veriatlantike mbetet themelor për Kosovën.
"Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s. Lidhja jonë me ta mbetet e përhershme, ashtu si edhe aspirata jonë që të jemi pjesë e kësaj aleance", u shpreh Haradinaj.
Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (Allied Joint Force Command Naples – JFC Naples) është një nga komandat kryesore operative të NATO-s, që ka selinë ne Lago Patria, pranë Napolit në Itali. Detyra e saj është të planifikojë, drejtojë dhe mbikëqyrë operacionet ushtarake të NATO-s në një zonë të gjerë që përfshin Mesdheun, Ballkanin dhe pjesë të tjera të rajonit, ku bën pjesë e dhe KFOR-i, si forcë e Aleancës që kujdeset për sigurinë e Kosovës. (A2 Televizion)