Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.
“Nën dyshimin e bazuar, gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se dy personat kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shton se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.
Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi - deklaroi se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.
Sipas saj, arrestimet janë “vazhdim i presionit” të autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi po ashtu, duke thënë se arrestimi në Zubin Potok është “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” i pjesëtarëve të komunitetit serb.
(A2 Televizion)