Krimi trondit Kosovën! Ish-bashkëshorti vret 21-vjeçaren, i plagos dhe vëllain e mitur

Nga Erjon Dervishi
12 Prill 2024, 23:01 | Kronikë

Kosova është tronditur nga një krim i rëndë në qytetin e Ferizaj. Një grua 21-vjeçe është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Krimi ka ndodhur brenda institucionit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë.

I plagosur ka mbetur edhe një person i mitur, i cili po trajtohet nga mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Shefi i Emergjencës në Ferizaj, Sefedin Fazliu, ka dhënë detaje për gjendjen e pacientit të mitur.

"Pacienti ka qenë i lënduar në parakrahun e djathtë dhe pas radiografisë, e cila është bërë, është konstatuar se një plumb qëndron në parakrahun e djathtë dhe nga ana e ortopedit është larguar plumbi. Po ashtu meqë ka qenë edhe frakturë e njërës kockë e parakrahut është bërë edhe mobilizimi i dorës dhe pacienti është pranuar në gjendje stabile pas trajtimit të emergjencës dhe është pranuar në repartin e ortopedisë".

Mjeku bën të ditur se 15-vjeçarit i është hequr plumbi në krahun e djathtë dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

"Pacienti që është pranuar këtu është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu ka qenë edhe një rast që ka qenë motra e tij në vendin e ngjarjes. Shërbimi i emergjencës ka konstatuar që pacientja është e vdekur dhe kanë njoftuar policinë po ashtu edhe mjekësinë ligjore për ta tërhequr nga vendi i ngjarjes”.

Kryeministri Albin Kurti ka dënuar vrasjen e 21-vjeçares duke thënë se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa. Në një postim në Facebook Kurti ka thënë se nuk ka arsye të priten të dihen detajet e vrasjes. Kurti ka ngushëlluar familjen, të afërmit dhe miqtë e saj, duke thënë se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa. Për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, autori i vrasjes duhet të marrë dënim maksimal. Trupi i 21-vjeçares së vrarë nga Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi