"Nuk lamë gur pa lëvizur,” KiE "lë pas dere Kosovën’’, Gërvalla: U mbështet lobimi serb

Nga Rosalba Bejdo
17 Maj 2024, 20:04 | Kosova

Me gjithë përpjekjet e Kosovës, e cila siç pohon ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, nuk la gur pa lëvizur, çështja e anëtarësimit në Këshillin e Europës nuk u vu të premten në rend dite të takimit të këshilli të ministrave të këtij mekanizmi.

Në një reagim, Gërvalla tha se përkundër thirrjes së Asamblesë Parlamentare  e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë, dhe pavarësisht propozimit të  arsyeshëm dhe serioz të qeverisë së Kosovës, disa vende zgjodhën ti dalin në krah padrejtësive.

“Disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t'i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara. Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë për brenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës.”

Sakaq, nga Këshillit i Europës thonë se po shqyrtojnë mënyrën sesi do të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Kryesuesja e deritanishme e komitetit te ministrave Dominique Hasler, tha se Kosova ishte përmendur disa herë gjatë mbledhjes së të premtes.

“Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Komiteti i Ministrave  ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë.”

Ndërkaq, kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, tha se kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës, çështja nuk ka të bëjë me atë nëse duhet të pranohet, por kur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos