Presidenti bullgar në Kosovë, Osmani: Heqja e masave të BE po kushtëzohet me Asociacionin

Nga Xhevahir Qardaku
22 Dhjetor 2023, 15:22 | Kosova

Në Kosovë mbërriti një mysafir i rëndësishëm, presidenti bullgar, Rumen Radev. Moti i lagësht nuk e frenoi presidenten Vjosa Osmani, që t’i rezervonte një pritje me nderime të larta shtetërore.

Pasi mbajtën një takim, dy liderët dolën në një konferencë për shtyp, për të folur kryesisht për situatën në Kosovë dhe raportet me Bashkimin Europian.

Osmani kërkoi që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen pasi situata është qetësuar, ndërsa shprehu zhgënjimin e saj për përpjekjet që po bëhen për shndërrimin e tyre në kusht për formimin e asociacionit.

“Nëse dikush mendon të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat duhet të hiqen se Kosova i ka plotësuar kërkesat sa i përket deeskalimit, kurse konstruktivitetin e saj për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit, Kosova e ka dëshmuar me qindra herë. Ndërkaq Serbia po bënë të kundërtën, jo vetëm me retorik, por edhe me shkrim ku i ka informuar shtetet e BE-së se nuk do të zbatojë marrëveshjen për normalizim,” deklaroi Osmani.

Presidenti bullgari bëri apel për dialog mes palëve dhe dënoi sulmin e armatosur dhe çdo forme tjetër të dhunës.

“Ne ngulim këmbë që Bashkimi Europian të ketë një rol aktiv për dialogun intensiv dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin. Politika e BE-së duhet të jetë transparente dhe objektive sa i përket çdo pale të përfshirë dhe të përfshijë si nxitje pozitive por edhe si masë restriktive ose ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimet.”

Gjatë konferencës së përbashkët, presidentja Osmani përmendi edhe nevojën që ketë hapa konkret për anëtarësimin e Kosovës drejt NATO-s, duke filluar me Partneritetin për Paqe. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidenti i Bullgarisë u takua dhe me kryeministrin Albin Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos