Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është zotuar sot që ta mbrojë vendin dhe kufijtë e Republikës, teksa foli për mundësitë e një tjetër sulmi nga ana e Serbisë.
Të njëjtën gatishmëri për t’ju kundërpërgjigjur çdo kërcënimi të mundshëm nga ana e Serbisë, shprehu edhe ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai njoftoi se autoritetet po vlerësojnë vazhdimisht situatën e sigurisë, ndërsa tha se shumë shpejt do të dalë dhe raporti I hetimeve për sulmin terrorist në Banjskë.
“Ne jemi dëshmitarë që grupe të ndryshme ekstremiste qoftë nga Serbia, Republika Srbska, Mali i Zi por edhe nga Rusia kohë pas kohe kanë pasur ekskursione në territorin e Kosovës në të kaluarën. Por ne suksesshëm i kemi menaxhuar dhe neutralizuar ata që kanë qenë rrezik për shtetin e Kosovës… Policia e Kosovës së bashku me prokurorinë e cila udhëheq hetimet janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Kosovës. Patjetër se shumë shpejtë do të dalin me rezultatet preliminare, kjo është një ndër kërkesat që i kam adresuar policisë por edhe prokurorisë përmes policisë, që sa më shpejt ne të kemi një raport preliminar për të gjeturat për këtë rast, por edhe rastit të kidnapimit të tre policëve.” (A2 Televizion)