Dhjetëra qytetarë serbë në Mitrovicë të Veriut u mblodhën para Fakultetit Filozofik që funksionon në kuadër të Universitetit të Serbisë për të kërkuar drejtësi për tragjedinë në Novi Sad dhe për të shprehur pakënaqësi ndaj Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Ashtu sikurse në të gjithë Serbinë, edhe në veriun e Mitrovicës u mbajtën 15 minuta heshtje në nderim të 15 viktimave që humbën jetën pas shembjes së strehës në stacionin e trenit.
Qytetarët e mbledhur mbanin në duar pankarta për drejtësi për rastin “Dorën e përgjakur”, ndërsa nuk munguan as thirrjet kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Para këtij aksioni të rrallë në veri kundër Beogradit zyrtar dhe për herë të parë për rastin në Novi Sad, Fakulteti Filozofik përmes një deklaratë u distancua nga organizimi i tij.
Edhe Parlamenti Studentor i këtij fakulteti i kërkoi studentëve të mos i bashkohen aksionit duke thënë se po mbështetet Albin Kurti “i cili po vret dhe po dëbon” serbët: “Serbia të jetë e fortë dhe e qëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht, një vend me institucione të forta me sundim të ligjit, që ka mirëkuptim dhe miq si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim”.
Përkundër thirrjes së Parlamentit Studentor, studentët iu bashkuan këtij aksioni duke thënë se kjo organizatë nuk përfaqëson zërin e të gjithë studentëve serbë në Kosovë. (A2 Televizion)