Sondazh: Cilat janë aktivitetet tuaja gjatë fundjavës?
  • Sport 13%
  • Me miqtë dhe familjen 53%
  • Rri në shtëpi 33%

Vritet një dhe arrestohen 4 nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë, plagoset një polic

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 16:40 | Kronikë

Një nga grabitësit që mësyu në argjendarinë në Suharekë 8 ditë më parë, është ekzekutuar nga policia në një shkëmbim zjarri gjatë pasdites së sotme në Prishtinë.

Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, policia ka zhvilluar një aksion për të neutralizuar grupin e grabitësve të dhunshëm në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve dhe oficerët janë dashur që në vetëmbrojtje të përdorin armët për të neutralizuar një prej grabitësve.

Po ashtu janë arrestuar katër të dyshuar të tjerë, ndërsa më parë ishin prangosur tre persona të dyshuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Dy prej tyre ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa një tjetër u lirua në procedurë të rregullt.

“Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë bëhet me dije në komunikatën për shtyp se nga shkëmbimi i zjarrit me grabitësit gjatë ditës së sotme ka mbetur i lënduar një oficer i policisë, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor. Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor”, thuhet në njoftim.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani