Procesi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të shfrytëzohet për të ndërtuar një konsensus të ri politik dhe shoqëror, si bazë për reforma të thella në vend. Kështu u shpreh gazetari Mentor Nazarko në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, sipas të cilit reformat nuk duhet të kufizohen vetëm te qeverisja dhe institucionet, por duhet të prekin edhe modelin ekonomik të zhvillimit.
“Kur unë thashë për reformë, unë mendoj që reforma nuk duhet të prekë thjesht dhe vetëm qeverisjen, duhet të prekë dhe modelin tonë zhvillimit ekonomik. Dhe kështu që unë pres përveç reformave në arsim, vijimi apo shtrirja e reformës në drejtësi dhe në pjesë të tjera apo institucione të tjera, unë pres dhe reformë në modelin e zhvillimit ekonomik”.
Ai ngriti pikëpyetje për qeverinë e cila ndodhet në vitin e 13-të të mandatit, nëse ka ende energjinë dhe kapacitetin për të ndërmarrë reforma kaq të thella, në një klimë me presion të lartë publik.
“Po a e ka fuqinë një parti që është në vitin e 13 të qeverisjes së vet, kryeministri në vitin e 13 të propozojë në këtë moment të dhënë me këtë presion kaq të madh publik që të ketë qasje të tillë kaq të thellë reformatore”.
Megjithatë, Nazarko e cilësoi momentin aktual si një nga më pozitivët për Shqipërinë, për shkak të avancimit të procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
“Për hir të së vërtetës ne jemi në një moment ne jemi në një moment i cili është shumë pozitiv kombëtarisht që është çelja e negociatave, përmbyllja e negociatave përpara të tjerëve. E kishim këtë situatë në ‘95 për arsye gjeopolitike mund ta merrnim përpara vendeve të tjera. Edhe tani unë mendoj që ne jemi të favorizuar nga ato indikatorët gjeopolitikë të favorshëm që ka popullsia shqiptare si pro perëndimore se është me shumicë myslimane”, u shpreh ai
Ai vlerësoi gjithashtu se opozita gjatë këtij viti ka mbajtur një qasje më konstruktive krahasuar me vitet e mëparshme, duke krijuar, sipas tij, një mundësi që qeveria duhet ta shfrytëzojë.
“Në të vërtetë do duhet ta pranojmë me gjithë vërejtjet që kanë kolegët e opozitës që procesi i integrimit në Bashkimin Europian është proces modernizues, reformator. Pra ata nuk të pranojnë vetëm se ti burokratikisht ndryshon ligjet apo jo dhe i thua bën kontroll këtë e bëre këtë e bëre këtë ligj e bëre. Ata verifikojnë edhe një lloj përparimi të sistemit tonë politiko-ekonomik. Tani edhe opozita për hir të vërtetës në këtë vit ka qenë relativisht konstruktive. Nuk ka, nuk është ta zëmë siç ishte viti që shkoi se dy vjet më përpara dhe qeveria, meqenëse ti je i vetmi këtu përfaqësues i qeveris këtu që ti duhet t'i kesh në kurriz të gjithë atë patjetër”.
Duke iu referuar modeleve të vendeve si Kroacia, ai theksoi se mazhoranca duhet të ndërmarrë hapa për të ndërtuar një klimë bashkëpunimi politik në funksion të integrimit europian. (A2 Televizion)