Temperaturat e politikës nuk bien, shtohet seancë surprizë pas mbledhjes së Ramës me PS

Nga Indrit Maraku
22 Korrik 2026, 17:18 | Politikë

E enjtja e 23 korrikut duhej të ishte seanca e fundit përmbyllëse e këtij sesioni parlamentar, ngjeshur me mbi 30 pika në rendin e ditës. Por socialistët kishin marrë porosi edhe më herët që të mos largohen. Motivi u kuptua shpejt. Konferenca e Kryetarëve do të thërrasë deputetët sërish më 30korrik, me vetëm dy pika në rend dite, p/ligjet për arkivat dhe për të drejtën e autorit. 

Me gjasa edhe protestuesit do të rishikojnë planet e veta. Konfirmuar është mbledhja e tyre në mëngjes herët, këtë të enjte, për t’i paraprirë ardhjes së deputetëve. Skenari i hedhjes së vezëve në drejtim të tyre pritet të përsëritet. Edhe kundërpërgjigjja konfirmohet se do të jetë e njëjtë.

Më shumë se hallin e vezëve - këtë të enjte apo tjetrën -deputetët, veçanërisht ata të mazhorancës, me ankth presin të premten në të cilën janë thirrur në mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar nga kryeministri Rama.

Eksperienca u thotë se dy p/ligje, sidomos për arkivat dhe të drejtën e autorit, mund të kishin pritur lehtësisht sesionin e shtatorit.  Gati 14 vite në pushtet, u kanë mësuar se me Edi Ramën duhet të presin gjithnjë surpriza.

Pyetja edhe mes socialistëve është nëse për shkak të situatës politike me protestat, këtë herë mund të ketë ndryshimeve në kabinetin qeveritar, opsion që ka ditë që qarkullon mes tyre. Në këtë rast, do të merrte sens përse nevojitej shtimi i një seance tjetër parlamentare: pa betimin e të rinjve, gushti do të ishte tepër i gjatë me ministra të shkarkuar por ende zyrtarisht në detyrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos