Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në mbikalimin e TEG-ut në Tiranë, ku një betoniere ka çarë barrierat metalike të mbikalimit dhe ka rënë në autostradën Tiranë-Elbasan.
Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta në një lidhje telefonike nga vendngjarja raportoi për Ditarin e Pasdites me Pandi Gjatën se mjeti i tonazhit të rëndë po lëvizte nga zona e Farkës në drejtim të rrethrrotullimit të TEG-ut, kur drejtuesi dyshohet se humbi kontrollin.

Burime jozyrtare bëjnë me dije për A2 CNN se një automjet mund t’i ketë prerë rrugën betonieres, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar nga autoritetet.
Pasi ka çarë barrierat metalike të mbikalimit, betonierja ka rënë në pjesën e poshtme të autostradës, ku dyshohet se ka zënë poshtë të paktën një automjet që po qarkullonte në atë moment.
Drejtuesi i betonieres është nxjerrë nga mjeti në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie, zjarrfikës dhe disa autoambulanca, ndërsa po punohet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të lënduar apo viktima.
Për shkak të aksidentit është krijuar trafik i rënduar në të dy drejtimet e autostradës Tiranë-Elbasan, ndërsa qarkullimi po devijohet. (A2 Televizion)