“Kolegët e tu do i marrë drejtësia”, debati Hoxha-Malaj në “Off the Record”

Nga A2 CNN
22 Korrik 2026, 22:22 | Politikë

Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike iu drejtua Erion Malajt, deputet i Partisë Socialiste, duke i thënë se kolegët e tij socialistë do t’i marrë drejtësia, për shkak të krimeve që, sipas tij, ata kanë bërë.

Debati në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Malaj: Unë do kisha dashur shumë që opozita në vendin tim të kishte qenë më serioze dhe më e fortë. Do kishte qenë shumë më mirë për politikën në vend. Fatkeqësisht, nuk është.

Hoxha: Këtyre që vjedhin zgjedhjet u vjen e keqja nga neve, se ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë. Por, nuk bëhemi si ju neve. Ato grupet kriminale me të cilat merrni vota do t’i fusim në burg. Ato grupe kriminale do t'i çojmë para drejtësisë. Të jesh i sigurtë për këtë. Ata me të cilët keni marrë vota dhe keni marrë peng ekonominë e vendit. Këta investitorët strategjikë, këto klanet e drogës, këto që ju vjen për të qeshur, por ju vijnë raporte si asnjë qeverie tjetër në historinë e Shqipërisë.

Malaj: Më vjen për të qeshur me narrativën, që është e njëjta. Nuk besoja se do flisnit edhe ju si të tjerët.

Hoxha: Nuk do ketë më grupe këtu që merrkan pushtetin. Ta harroni këtë gjë. Ata do dënohen edhe për ndërhyrje në zgjedhje. Dhe lavdi Zotit që erdhi kjo ditë me protesta të pandërprera të cilat do ta çojnë Shqipërinë drejt qeverisë teknike.

Malaj: Vetëm nëqoftëse e keni kapur tani se ju s'keni lidhje me atë protestë.

Hoxha: Qaji hallin partisë tënde se është në ditët e veta më të zeza. Ke shumë nga këta kolegët e tu deputetë që s'do i takosh dot më. Se do i marrë drejtësia. Dakord? Unë them filloni e shkruani atë bllokun e lamtumirës, si ata në maturë, dhe shkruani përshkrimet për njëri-tjetrin se ke shumë kolegë që nuk do i shikosh për nja 20 vite, për shkak të krimeve që kanë bërë.

Malaj: Ajo që më shqetëson ëshë e ardhmja e vendit, që të jetë në familjen e madhe europiane. Të tjerat nuk i di, se unë nuk aludoj dot. As për ju nuk aludoj dot.

Hoxha: Nuk është çështje aludimesh aty, i ka marrë vesh i madh e i vogël sot se çfarë bëhet.

Malaj: Nuk flitet kështu. Pikërisht se i dinë njerëzit ne jemi aq sa jemi në Parlament, dhe ju jeni aq sa jeni.

Hoxha: Kini frikë gjykimin e njerëzve, sepse u ka ardhur në majë të hundës.

Malaj: Ne?! Ne jemi shumë të qartë që gjykimi për një forcë politike është jetik. Ju s'e keni mësuar edhe pas katër palë zgjedhjeve të humbura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos