Këto janë pamjet e aksidentit të rëndë në rrethrrotullimin e TEG, kur betonierja pasi është përplasur me një veturë “fluturon” nga mbikalimi, duke rënë në rrugën poshtë.
Mjeti i tonazhit të rëndë duket se lëviz me shpejtësi duke thyer barrierat metalike. Pak sekonda para se të prekte në autostradën Tiranë-Elbasan, shihet se aty lëviznin mjete të tjera, por për mrekulli nuk ka prekur asnjë prej tyre.
Drejtuesi dhe pasagjeri në mjetin e tonazhit të rëndë, të dy shtetas të huaj egjiptianë, humbën jetën, ndërsa 28-vjeçari në veturë mbeti i aksidentuar, por pa rrezik për jetën.
Zjarrfikësve dhe policisë iu deshën disa orë kohë për të larguar betonieren, duke e zhvendosur me dy karroatrecë, shkruan A2.
Nga ekspertiza e ngjarjes vërehet se betonierja vinte nga autostrada e unazës lindore nga Farka duke goditur veturën, por nuk shihen shenja të frenimit.
Dyshimet e para janë se drejtuesi i betonieres mund të ketë pësuar kolaps shëndetësor gjatë drejtimit të mjetit, por nuk përjashtohet dhe mundësia që të ketë pasur mjeti defekt me sistemin e frenimit.
Rreth 3 orë u bllokua lëvizja në këtë aks, i cili vijon të mbetet një njollë e zezë për qarkullimin rrugor, ku tre vite më parë po aty u shënua një tjetër aksident i rëndë. (A2 Televizion)