Kreu i "Aleancës për Shqiptarët" shpall kandidaturën për president në Maqedoninë e Veriut

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2024, 12:09 | Rajoni & Bota

Kreu i "Aleancës për Shqiptarët" shpall

Pas betimit të Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili do të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit, një tjetër shqiptar synon të marrë drejtimin e Presidencës.

Lideri i partisë “Aleanca për Shqiptarët”, Arben Taravari ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut, gjatë një vizite në Gostivar.

Taravari thotë se ka ardhur koha për një president të vërtetë shqiptar dhe jo teknik.

Me propozim të ASH-së dhe mbështetjes së Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN), unë sot jam këtu për të shpall kandidaturën për president të shtetit. Unë besoj se kjo ditë është ditë e duhur për t’ia filluar. Jam i sigurt në përkrahjen tuaj, pres me respekt votën e çdonjërit prej jush. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një president shqiptar, por jo teknikisht. Ndryshimi ka filluar dhe kjo tani po shihet”, është shprehur Taravari.

Ai paralajmëroi se do të kërkojë mbështetje nga të gjitha partitë politike që konsiderojnë se ai është njeriu që duhet ta udhëheqë vendin në pesë vitet e ardhshme.

Plani i Taravarit është që kandidatura e tij të regjistrohet duke dorëzuar 10.000 nënshkrime në KQZ, të cilat pret t’i mbledhë brenda dy ditëve.

Propozimi është i një muaji më parë, këmbëngulja ishte nga miqtë, shokët, bashkëmendimtarët, u ulëm me partitë opozitare, tashmë jemi një opozitë e përbashkët shqiptare, të shtunën do ta zyrtarizojmë këtë dhe erdhëm në përfundimin se do të ishte më mirë për mua të kandidoja për president. Unë kam vendosur mbrëmë vonë të kandidoj”, tha Taravari.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut zgjidhet duke përdorur një sistem me dy runde. Një kandidat mund të zgjidhet në rundin e parë të votimit vetëm nëse arrin të marrë ekuivalentin e mbi 50% të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar. Në rundin e dytë, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë së paku 40% që rezultati të konsiderohet i vlefshëm.

Gjasat janë që nëse Taravari i qëndron fjalës së tij dhe hyn në garën për Presidencë, ai do të përballet me kreun aktual të shtetit Stevo Pendarovski. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos