
“Urime të gjithë qytetarëve për një proces zgjedhor që pavarsisht pandemisë ishte i mirëorganizuar. Tani është koha që të gjitha palët të bëjnë përpara dhe së bashku të vazhdojnë rrugën drejt BE.”
Ky ishte mesazhi i raportueses për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos pas zgjedhjeve të 25 prillit në vendin tonë. Më herët edhe raportuesi për Shqipërinë nga Partia e të Gjelbërve në Bundestagun gjerman, Manuel Sarrazin, bëri thirrje për bashkëpunim gjithëpartiak dhe të përgjegjshëm në rrugën e reformave.
“Si në qeveri, si në opozitë, të gjitha partitë tani duhet të ndjekin së bashku kursin e reformave me më shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet se më parë”, deklaroi ai.
Kërkesa e deputetit nga radhët e partisë së gjelbër të opozitës, njëherazi njohësi i çështjeve në rajon, duket se i adresohet kryesisht opozitës aktuale qe dogji mandatin në vitin 2019.
Bojkotimi i parlamentit ishte jodemokratik dhe i papërshtatshëm, duke pasur parasysh sfidat e mëdha, me të cilat përballet vendi. Vendi ka nevojë për reforma urgjente dhe jo për vazhdimin e luftës së llogoreve. Deputetja e opozitës liberale në gjermani Renata Alt, tha se nuk pret ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri pas zgjedhjeve të 26 prillit, pavarësisht kush do ta formojë qeverinë. (A2 Televizion)