Aktivistja dhe ekspertja e proceseve zgjedhore, Edlira Çepani është përgjigjur në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, pasi i doli emri si organizatore e protestës. Duke iu përgjigjur spekulimeve, Çepani theksoi se organizatorët e vërtetë të protestës janë të rinjtë dhe protestuesit. Ajo sqaroi se emri i saj lidhet për kërkesat e saj dhe të grupit të ekspertëve të bëra prej vitesh për reformën zgjedhore, listat e hapura dhe mundësinë që qytetarët të garojnë në zgjedhje përmes listave qytetare, pa qenë të detyruar të krijojnë ose t’i bashkohen partive politike.
“Na doli emri gjithë ditën sot. Por ne si ekspertë të proceseve zgjedhore kemi vite të tëra që sidomos që prej vitit 2008 që kundërshtojmë në mënyrë të vazhdueshme sistemin zgjedhor, i cili ka sjellë pikërisht kryetarë të fortë, institucione të dobëta, kryetarë të fortë, parti politike të dobëta, sepse lloji i sistemit zgjedhor që ne kemi është pikërisht ky. Forcon individin lider dhe dobëson të gjithë pjesë hallkat e tjera të sistemit. Prandaj që prej vitit 2008 neve këmbëngulim vazhdimisht për ndryshime në kodin zgjedhor, por një nga gjërat më kryesore të cilën e kemi kërkuar pak më përpara ka qenë diskutim, por tashmë bëhet domosdoshmëri, mbas kësaj proteste është pikërisht që me ndryshimet e reja që kemi kërkuar është mundësia për të garuar në zgjedhje me lista të qytetarëve pa patur nevojë për të hyrë në zgjedhje me një parti politike me një strukturë, e cila është e formatuar vetëm në një mënyrë sipas ligjit. Kemi kërkuar mundësinë që qytetarët në grupime të ndryshme me lista që quhen lista qytetare të arrijnë të hyjnë në zgjedhje, të garojnë, të kenë shanse të barabarta dhe vota e qytetarëve të ketë peshë të barabartë në gjithë Shqipërinë duke e hapur sistemin, duke e bërë proporcional kombëtar. Nga ana tjetër që gara të jetë e barabartë edhe mes kandidatëve edhe mes votuesve duke e bërë që të jetë me lista të hapura. Të gjitha këto kërkesa ne ja kemi çuar vazhdimisht Komisionit Qendror Zgjedhjeve, parlamentit shqiptar, të gjitha institucioneve ja çojmë dhe do të vazhdojmë t'ia çojmë veçanërisht në kuadër të zërit të qytetarëve të cilët e kërkojnë këtë më fortë sesa kurrë”, u shpreh ajo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Çepani e ka cilësuar protestën e zhvilluar në Tiranë si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare që ka parë Shqipëria.
“Është një është një nga protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria edhe për ne si aktivistë është një nga eksperiencat më të bukura që realisht ndërronim ta shihnim njëherë në Shqipëri. E kemi anatemuar, shumë shpesh popullin shqiptar për mungesë të reagimit dhe unë e kam thënë gjithmonë që ka patur një problematikë e cila ka lidhur reagimin me partitë politike. Ka patur një monopol politik të reagimit, i cili në një farë mënyre i është edukuar edhe qytetarëve duke i vënë ata në një pozicion jo komod për të reaguar ndaj padrejtësive, për t'u mbledhur, për t'u bashkuar edhe për t'u vetëdijësuar se kur jemi bashkë, kemi një zë edhe më të fuqishëm” në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas saj, qytetarët janë vetëdijësuar për t’u bashkuar për të qenë një zë më i fortë.
“Kjo protestë e ka thyer këtë lloj monopoli dhe është një protestë në të cilën ajo që unë shoh në shesh është që qytetarët tashmë janë vetëdijësuar dhe pikërisht prandaj ka një fuqi kaq të madhe që zëri i tyre është një zë i cili ë mund të dëgjohet dhe dëgjohet edhe më fort kur janë të gjithë bashkë përtej ndasive që mund të ketë në atë shesh dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha në atë shesh unë siç shoh gjithmonë, po veçanërisht në këtë protestë, kam parë shumë dinjitet. Një dinjitet i cili ë shkon përtej moshës, përtej prejardhjes, përtej gjithçkaje që individualisht gjithsecili aty mund të besojë. Është një dinjitet qytetar atdhetar i cili realisht unë e dija se unë punoj në terren, por në publik na mungonte prej kohësh” në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
(A2 Televizion)