Sali Berisha pret nga Partia Popullore Europiane të ndërhyjnë për Shqipërinë e përfshirë në valë protestash kundër qeverisë
“Shqipëria në sallën e urgjencës... Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore dhe të pranishmit, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre në mënyrë që kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, që tashmë ndodhet në sallën e urgjencës, të zgjidhet në mënyrë paqësore: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e reja”, tha kreu i PD, përcjell A2 CNN.
Kreu i Partisë Demokratike u kërkoi deputetëve të fokusohen te protesta e qytetarëve që kapërcyen ditën e 10-të. Ai dënoi sjelljen e Edi Ramës me protestuesit dhe mbështeti kërkesat e tyre. “Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës. Denoncova me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve dhe kërcënimet, talljet, fyerjet”, tha Berisha.
Sipas Berishës në këtë pikë duhet një ndërhyrje ndërkombëtare për të ndihmuar protestuesit. “Unë kërkova mbështetje ndërkombëtare për këto protesta duke siguruar audiencën dhe bashkëbiseduesit se diktatorët nuk marrin vendime të drejta”, shtoi ai.
Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë simpatizantëve të tij që të dalin në sheshin para kryeministrisë, por u dha një këshillë: “Kësaj here pa simbolet e partisë”.
Sipas tij kjo është protesta më rinore që është zhvilluar në Shqipëri, ndaj partitë politike duhet të mbetet në plan të dytë. “Nuk duhet që gjethet të na pengojnë madhështinë e trungut”. (A2 Televizion)