Bill Gates dëshmon me dyer të mbyllura për lidhjet me Jeffrey Epstein: Gabimi im më i madh

Nga A2 CNN
10 Qershor 2026, 16:23 | Bota

Bill Gates dëshmon me dyer të mbyllura për lidhjet me Jeffrey

Biznesmeni amerikan Bill Gates ka dëshmuar me dyer të mbyllura para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve mbi marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Dëshmia e bashkëthemeluesit të Microsoft po regjistrohet në formë të shkruar dhe jo në video, ndërsa transkripti i saj pritet të bëhet publik në një fazë të mëvonshme.

Gates nuk është akuzuar për ndonjë shkelje që lidhet me Epstein. Megjithatë, ai ka pranuar se ka pasur një marrëdhënie profesionale me të dhe është takuar disa herë mes viteve 2011 dhe 2014 për të diskutuar krijimin e një fondi investimesh, projekt që nuk u realizua kurrë.

Biznesmeni e ka cilësuar më herët lidhjen e tij me Epstein si një “gabim të madh”, ndërsa zyra e tij ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e përfshira në dokumentet e çështjes, duke i cilësuar ato si “plotësisht absurde”.

Para nisjes së dëshmisë, Gates deklaroi para gazetarëve se po bashkëpunonte vullnetarisht me komisionin.

“Jam i kënaqur që jam këtu vullnetarisht për të dëshmuar dhe për të ndihmuar në punën e Komisionit. Shpresoj që dëshmia ime të kontribuojë në përpjekjen e rëndësishme për t’u sjellë drejtësi viktimave”, tha ai.

Ndërkohë, raportime të mediave amerikane bëjnë të ditur se Gates ka angazhuar ish-këshilltarin e Komitetit të Mbikëqyrjes, Jake Greenberg, për ta ndihmuar në përgatitjen e dëshmisë. Ky fakt ka ngritur pikëpyetje mbi procesin, pasi Greenberg kishte punuar më parë në hetimin e komisionit për çështjen Epstein përpara largimit nga detyra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos