Serena Williams i jep lamtumirën tenisit

Nga A2 CNN
9 Gusht 2022, 21:15 | Sporte të tjera
Serena Williams i jep lamtumirën tenisit

Karrierës së Serena Williams po i vjen fundi. Tenistja 40-vjeçare ka konfirmuar për revistën “Vogue” se ka në plan të tërhiqet nga tenisi pas US Open (29 gusht deri më 11 shtator).

“Nuk më ka pëlqyer kurrë fjala pension. Unë e mendoj këtë si një tranzicion. Ndoshta fjala më e mirë për ta përshkruar është se jam në një evolucion”, ishin fjalët e fitueses së 23 Grand Slam-eve në karrierë.

“Jam këtu për t’ju thënë se po largohem nga tenisi, drejt gjërave të tjera që janë të rëndësishme për mua. Unë dua të rris familjen time”, pohoi motra e vogël Williams.

Tenistja, e cila pas një muaji do të mbushë 41 vjeç, dëshiron që US Open i radhës, një Grand Slam që e ka fituar 6 herë, të jetë i fundit në karrierën e saj të gjatë.

Aktualisht, Serena Williams po garon në WTA 1000 në Toronto, ku mundi në raundin e parë Nuria Párrizas, duke arritur kështu fitoren e saj të parë në më shumë se 400 ditë.

A2 CNN Livestream

A2 Sport