
Në video-mesazhin e radhës përmes rrjeteve sociale, përpos mbarëvajtjes së deritanishme të mësimit nga shtëpia për nxënësit e sistemit parauniversitar, ministrja Besa Shahini ka bërë të ditur se 40 mijë studentë tashmë kanë kaluar në mësim online. “Janë mbi 1 mijë lëndë që kanë kaluar në mësim online”, nënvizon ajo ndërsa shprehet se: “Pedagogët po punojnë jo vetëm duke përdorur email-in apo rrjetet sociale, por edhe platformat e ndryshme që janë në dispozicion falas. Është Zoom, Google Classroom, EZtalks – janë disa nga platformat që po krijojnë edhe klasën virtuale, ku pedagogu mund të bëjë edhe biseda me studentët e vet dhe e riprodhon formatin e një klase të zakonshme”.
Sakaq, ministrja Shahini u jep përgjigje edhe pyetjeve të ardhura nga maturantët dhe nga nxënësit e klasave të nënta për sa i përket provimeve kombëtare: “Dua të nënvizoj edhe njëherë se është shumë herët të marrim një vendim për provimet kombëtare se kur do të mbahen, nëse duhet të shtyhen, në çfarë formati do të zbatohen etj. Unë ende po shpresoj që ne do të kthehemi në bankat shkollore me 6 prill, siç kemi planifikuar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të marrim një vendim në lidhje me formatin e provimeve kombëtare, vështirësinë e pyetjeve, si dhe datat kur do të mbahen. Duke marrë parasysh që jemi të përkushtuar që ta mbyllim këtë vit akademik, duhet gjithsesi të planifikojmë dhe të synojmë që t’i mbajmë provimet kombëtare sivjet. Ndaj, duke parë se si po zhvillohet situata, ne po bëjmë edhe planet e ndryshme që do t’i zbatojmë pastaj në një moment të dytë kur të dimë edhe nëse do të mbahen provimet kombëtare, kur do të mbahen ato dhe me çfarë niveli të vështirësisë”, tha Shahini. (A2 Televizion)