Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, dhe gazetari Mentor Nazarko u përfshinë në një debat lidhur me protestat, kauzat e opozitës dhe perceptimin e publikut ndaj tyre.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Teliti ngriti pyetjen nëse ekziston një kauzë e protestës që nuk është artikuluar apo mbrojtur mjaftueshëm nga opozita.
Në përgjigje, Nazarko u shpreh se artikulimi i vazhdueshëm i të njëjtave pretendime përbën një “autogol” për PD-në.
Sipas tij, për 13 vite opozita ka artikuluar vazhdimisht kauzat e saj, por nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare dhe të bëhet e besueshme në masën që e kanë bërë protestuesit aktualë.
DEBATI
Teliti: Ka një kauzë të protestës që s’është artikuluar apo mbrojtur fort nga opozita?!
Nazarko: Sa më shumë ta artikulosh këtë gjë, aq më shumë je duke bërë një autogol të madh, nga ata të mëdhenjtë shumë. Ti thua që 13 vjet i kemi artikuluar të gjitha kauzat. 13 vjet ju s’keni arritur të bëheni lajm kaq i madh ndërkombëtar sa ç’u bënë këta.
Teliti: Ka pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri z.Nazarko? E keni lexuar raportin e OSBE-ODIHR?
Nazarko: Autogolin e bërë disa herë, unë ndërhyra, tani po e bën prapë. Protestat që ju keni bërë në 13 vjet s’kanë pasur besueshmëri të tillë, që të sjellin edhe demokratë, jo demokratë, edhe diasporë. Por ju keni të drejtë që e akuzuara më e madhe është qeveria. S’keni qenë të besueshëm. Këta njerëz që vijnë edhe nga Harvardi kanë besueshmëri të lartë.
Teliti: Teza juaj do qëndronte nëse në Shqipëri do kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme. (A2 Televizion)