Akuzat e opozitës, Gjykata Kushtetuese pezullon marrëveshjen Rama-Meloni për refugjatët

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 17:19 | Aktualitet

Gjykata Kushtetuese i vendosi një bllokadë miratimit në parlament të marrëveshjes mes qeverisë italiane e asaj shqiptare për emigrantët.

Gjyqtarët e Kushtetuese vendosën të mërkurën të kalojnë për shqyrtim ankimin e bërë nga 30 deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Sali Berisha e Gazment Bardhi, të cilët pretendojnë se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën.

Sipas ligjit, kjo vendimmarrje e Kushtetueses sjell automatikisht pezullimin e të gjitha procedurave parlamentare për miratimin e marrëveshjes, çka do të thotë se deputetët nuk mund të votojnë pro apo kundër saj në seancën e së enjtes.

Gjyqtarët kushtetues kanë caktuar datën 18 janar 2024 për të shqyrtuar ankimin e 30 deputetëve të PD, shqyrtim, që do të bëhet vetëm mbi bazë dokumentesh, jo me prani të palëve në proces.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka kthyer pas për plotësim dokumentesh ankimin që Lulëzim Basha kishte depozituar për këtë çështje.

Vendimmarrja e Kushtetueses detyron parlamentin të heqë nga rendi i ditës votimin e marrëveshjes, që do të qëndrojë e pezulluar deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos