Italia do të transferojë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm që futen në territorin e saj, pavarësisht se nuk kanë lidhje me vendin tonë. Kryeministri shqiptar Edi Rama udhëtoi drejt Romës për të firmosur me homologen italiane marrëveshjen e cila do të kthejë Shqipërinë një një vend pritës për të paktën 36 mijë refugjatë më vit. Meloni ishte e vetmja që bëri publike disa detajet të këtij pakti, bisedimet për të cilin kanë nisur pak muaj më parë.
“Emigracioni i paligjshëm është një fenomen që vendet e BE nuk mund ta përballojnë të vetëm. Për këtë arsye Shqipëria do t’i japë mundësinë Italisë për të përdorur disa zona të vendit të Shqipërisë ku Italia mund të operojë sipas juridiksionit dhe shpenzimeve të saj për dy struktura ku do të strehohen emigrantët. Fillimisht do të jenë 3000 refugjatë, derisa autoritetet italiane të shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil. Ky fluks në harkun e një viti mund të shkojë deri në 36 mijë emigrantë. Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzënë dhe grupet e tjera vulnerabël. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë i Italisë”, u shpreh Meloni.
Shqipëria do t’i japë Italisë dy zona të cilat do të jenë nën juridiksionin e vendit fqinj.
“Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të identifikimit, ku do të realizohet një qendër e pritjes dhe seleksionimi dhe më pas do të ketë një strukturë tjetër modern për të vijuar me procedurat e tjera në vazhdimësi. Shqipëria, me anë të policisë do të angazhohet për mbrojtjen dhe observimin e jashtëm të këtyre dy strukturave. Ky bashkëpunim do të nisë të realizohet pranverën e ardhshme”, shtoi Meloni.
Rama tregoi se kjo marrëveshje ka nisur të ideohet në gushtin e kaluar gjatë pushimeve të Melonit në Dhërmi.
“Kjo marrëveshje lind kur Giorgia mendonte se do të bënte pushimet, por lajmet për zbarkimet nuk e lanë të qetë të zbarkonte në plazh. Dhe për këtë arsye unë zbarkoja të ajo për të gjetur një zgjidhje se si ta ndihmoja”, tha Rama.
Mungesën e transparencës të dy e justifikuan me lidhjen miqësore mes dy popujve shqiptarë dhe italianë. Një rol të ngjashëm me atë që po merr Shqipëria, Italia e ka kërkuar nga BE ku është vend anëtar, por deri tani është refuzuar. (A2 Televizion)