Formalizim tregu dhe kushte të barabarta ligjore kërkon Federata e Transportit dhe Telekomunikacionit, pas rritjes së tarifave të autoshkollave. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj federate Tonin Gjinaj, ngriti disa shqetësime në studion e Ditarit me Bruna Çifligun në A2 CNN. Sipas tij grupet e interesit janë mënjanuar nga diskutimet mbi këto ndryshime, ndërkohë që ka autoshkolla fiktive që nuk deklarojnë drejtorin teknik apo instruktorin e praktikës.
“Shqetësim është mënjanimi që na është bërë ne si grup interesi as jemi pyetur, as jemi dëgjuar. Që nga 2001 nuk ka pasur ndryshim tarifash. Autoshkollat nuk kanë një tarifë. Ne kërkojmë së pari kushte të barabarta për të gjitha autoshkollat, disa funksionojnë me mbështetje të elementëve të caktuar, e deklarojnë marrëzisht 25-30 mijë lekë të vjetra, kur qytetarit i marrin shumë herë më shumë, ka autoshkolla fiktive që nuk deklarojnë instruktorin e praktikës dhe drejtorin teknik. Kjo ndodh pasi drejtoria tatimeve e transporti rrugor duhet të mbikëqyrë aktivitetin, ta vërë biznesin në kushte të barabarta ligjore dhe ta vazhdojmë të sigurojmë vazhdimin e mësimit. Po bëhet shumë zhurmë për asgjë”.
Duke renditur edhe kërkesat të cilat ia kanë parashtruara edhe ministres Balluku, ai thekson se kërkojnë që të shmangin evazionin fiskal dhe sekserët që sipas tij po ua marrin nga rruga kandidatët autoshkollave.
“Nuk kemi asgjë me DPSHTRR, kemi qenë partnerë. Na kanë quajtur të vegjël por edhe ne kemi të drejtë të dëgjohemi. Nuk po themi të dëgjohemi në Kosovë e Mal të zi apo në vende të BE, por në vendin tonë duhet të dëgjohemi e informohemi. Kërkesat tona që i kemi dërguar Ballukut janë të thjeshta; që programi i ndihmës së shpejtë duhet të kthehet e të bëhet në autoshkolla të mos u merren lekë shtesë qytetarëve, por të zbatohet ligji. Për të shmangur evazionin e sekserin, qytetarët paguajnë tarifë në bankë, sekserët ua marrin nga rruga kandidatët autoshkollave. Ne kërkojmë formalizim tregu. Tarifat e autoshkollave ne i kemi zero nuk dimë si rregullohet ky treg”.
Sipas tij autoshkollat janë ca të nënës e ca të njerkës, ndërsa theksoi se kërkojnë miratimin e tarifave fiskale sikurse i ka DPSHTRR.
“Problemi është a rrisin shërbimin këto tarifa? Së pari ato i marrin paradhënie të gjitha shërbimet. Sot që shkuam nuk pamë ndonjë rritje shërbimi, një punonjës ankohej se edhe stilolapsat i blej vetë. Autoshkollat janë ca të nënës ca të njerkës, ne kërkojmë kushte të barabarta ligjore. Ne kërkojmë miratimin e tarifave fiskale siç e ka miratuar për vete DPSHTRR edhe për ne. Sot nuk kemi program të miratuar me procedurë. Duhet të ishin ulur e të na thërrisnin. Në rang vendi ka 317 autoshkolla, një autoshkollë mund të hapë dhe disa degë. Unë kam denoncim që autoshkolla nuk ka drejtor teknik të siguruar, instruktor po nuk është biznes më. Ne kërkojmë formalizim”.
Ai solli në vëmendje takimin me ministrin e Transporteve, të ndjerin Sokol Olldashi, që u plotësoi çdo kërkesë duke bërë ndryshime drastike.
“Olldashi para 10 vitesh na ka thirrur dhe ka bërë ndryshime drastike. Nuk na priste drejtori i përgjithshëm, qëllimisht ata kapin kryetarët e shoqatave duke u bërë presion. Ne kërkojmë bashkëpunim reciprok të na trajtojnë të barabartë”.
Në lidhje me kërkesat dhe protestën e tyre, Gjinaj konfirmoi se ka marrë edhe presione, nga më të sofistikuarat siç i cilësoi ai, por theksoi që nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të vijohet me rrugë ligjore.
“Drejtori i ri duhet t’i japë frymëmarrje këtij biznesi. Se kjo punë nuk vazhdohet me inate, apo me presione nga më të sofistikuarat, më e keqja është që nuk ka transparencë. Për çdo ndryshim duhet lajmëruar grupi i interesit këto i anashkalojnë u ndërruar kodi rrugor nuk na pyetën. U ndërrua VKM, nuk na pyetën. Ne nuk do të bllokojmë siç bllokon opozita parlamentin unë nuk e shkel ligjin moszbatimin e ligjit e kam frikë do shkojmë te organet e zbatimit të ligjit. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve”.
(A2 Televizion)