Sali Berisha shkoi për herë të dytë para SPAK, ku u paraqit në respekt të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”. Edhe këtë herë nuk ishte i vetëm, pasi dhjetëra mbështetës ishin mbledhur para godinës së qelqtë.
Pak minuta zgjati vizita e kreut të Partisë Demokratike dhe në dalje tregoi se u kishte lënë një “kartolinë”.
“Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë”, tha Berisha.
Kreun e SPAK, Altin Dumani e akuzoi se nuk po heton dosjet, duke iu referuar çështjes së Tojota Jaris, për të cilën tregoi edhe disa përgjime mes të akuzuarve. Ndaj nga sot tha Berisha, kreu i SPAK duhet të thirret Altin Lala, duke e asociuar me Ymer Lalën, shkruan A2 CNN.
“Miqtë e mi, a e shihni ju se si Altin Lala fle mbi këto dosje krimi. Se si ky mercenar i moralit të ligjit mbron ministra kriminelë, anëtarë të organizatave kriminale dhe se si ky mercenar organizon apo merr me urdhër të Edi Ramës, mendon se do mund të shembë pluralizmin në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha premtoi se çdo herë që do paraqitet në SPAK, do vijojë të denoncojë Dumanin. Vend për akuza pati edhe për Taulant Ballën, ku sipas liderit të opozitës ish-ministri ka qenë përdorues i Sky Ecc.
“Unë kam shumë të tjera, por do mbarojmë me Ballën njëherë dhe pastaj do u kthehemi me radhë dhe do u faktoj se çfarë e rrezikshme për Shqipërinë dhe shqiptarët punon në këtë institucion. Iu kisha premtuar kodin e Taulant Ballës. Iu garantoj se do t’ua sjell”, u shpreh kreu i PD-së.
Në përfundim të protestës para godinës së Prokurorisë së Posaçme, Berisha vijoi aktivitetin politik ku doli para mediave në konferencë nga selia blu. Lideri i opozitës prezantoi programin për shëndetësinë dhe premtoi dyfishimin e buxhetit. (A2 Televizion)