Një pjesë refuzuan, ndërsa të tjerë, pavarësisht se në dyert e tyre u trokit edhe më shumë se tri herë nuk u përfshinë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Teksa konfirmoi qershorin si afatin e publikimit të të dhënave të Cens-it, drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli bëri një bilanc të procesit që u përmbyll muajin e shkuar.
“Grumbullimi i të dhënave ka përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar, ka përfunduar dhe grumbullimi i të dhënave për anketën pas censit. Tani jemi në fazën e pastrimit të databazës dhe më pas do të kalojmë te tabulimi dhe përgatitja e materialit shkrimor që do të jetë informuese për publikimin”, thotë Elsa Dhuli, Drejtoresha e Institutit të Statistikave.
Drejtoresha e Instat ndërkohë hodhi poshtë zërat se në vend kanë mbetur vetëm 1.7 milionë shqiptarë.
“Nuk ka 1.7 milionë rezidencë, informacioni është i pasaktë. Ende nuk ka dalë numri ekzakt i rezidentëve në Shqipëri. Unë kam një staf të ngushtë dhe profesionist që po merret me përpunimin e të dhënave”, thotë Elsa Dhuli, Drejtoresha e Institutit të Statistikave.
Teksa nuk mohoi se mund të ketë pasur shkelje në drejtim të mbledhjes së të dhënave veçanërisht për minoritetet, Dhuli garantoi se për rastet e identifikuara janë marrë masat e nevojshme
“Kemi proceduar me masa administrative. Vetëm nëse ka mbetur ndonjë rast i paidentifikuar. Do ta shohim gjithsesi”, thotë Elsa Dhuli, Drejtoresha e Institutit të Statistikave.
INSTAT njofton se në dhjetor do të publikohen të dhënat e detajuara të censit të popullsisë dhe banesave, në nivel qarku dhe bashkie. (A2 Televizion)