Në datë 3 dhjetor, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Nancy Van Horn, së bashku me përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) zhvilluan takim pranë sallës “Ali Asllani”, në Vlorë. Pjesë e këtij takimi ishin studentë dhe pedagogë të departamentit të Drejtësisë.
Që nga viti 2020, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë teknike, trajnime dhe mentorim për AMP në mbështetje të misionit për të çuar përpara mbikëqyrjen policore, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit.
AMP është një institucion kyç në strukturën e sigurisë së shtetit. E themeluar më 2021 (reforumar), ajo mbikëqyr punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe subjekteve të tjera referuar Nenit 5 të ligjit nr.128/2021. Roli i saj është të sigurojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve nëpërmjet një pune të pavarur, transparente dhe të drejtë.
AMP është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve është rritja e besimit ndaj Policisë së Shtetit.
“Jam e kënaqur të shoh kaq shumë studentë të drejtësisë sot, një shenjë shprese për të ardhmen e Shqipërisë. Është e rëndësishme të ndërtojmë një kulturë integriteti dhe sundimi të ligjit në çdo aspekt të jetës së përditshme”, tha Van Horn.
“Pesë vite më parë, perceptimi ndërkombëtar për Shqipërinë ishte i padrejtë dhe shumë negativ, por kjo ka ndryshuar ndjeshëm. Ky ndryshim vjen falë punës së guximshme të zyrtarëve të drejtësisë, qeverisë dhe policisë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore luan një rol kritik në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e integritetit institucional. Reforma në drejtësi nuk është vetëm detyrë e institucioneve si SPAK; ajo kërkon angazhimin e të gjithëve. E ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja dhe kontributi juaj është i domosdoshëm për progresin. SHBA qëndron krah për krah me Shqipërinë në rrugëtimin drejt përmbushjes së standardeve europiane. Jam mirënjohëse për punën e bërë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrjes për të garantuar transparencën. Ju inkurajoj të mendoni për rolin tuaj në ndërtimin e një sistemi drejtësie të fortë dhe të ndershëm”, shtoi Van Horn.
Takimi vijoi me një informacion të përgjithshëm se si funksionon dhe vepron kjo agjensi në vendin tonë.
Ky takim u mbyll me pyetje nga ana e studentëve dhe pedagogëve të Departamentit të Drejtësisë. (A2 Televizion)