Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK mbyll hetimet! Dërgon për gjykim Plaurent Dervishajn dhe Ramazan Rrajën

Nga A2 CNN
28 Maj 2024, 09:58 | Aktualitet

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK mbyll hetimet! Dërgon për

Kur kanë kaluar 5 vite nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Si rezultat i këtyre hetimeve disavjeçare, SPAK ka arritur që të dokumentojnë rolet e të gjithë personave të përfshirë në këtë atentat, i cili i mori jetën shoferit Andi Maloku, e ndërsa la të plagosur prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, një person i njohur në botën e krimit.

Të përfshirë në këtë ngjarje, përveç Redjan Rrajës dhe Ariol Halilajn, ndaj të cilëve ka nisur më herët gjykimi në GJKKO, të përfshirë kanë qenë edhe Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. 6 të pandehur, duke funksionuar si një grup i strukturuar kriminal kanë siguruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për kryerjen e ekzekutimit.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu, këta persona janë përpjekur edhe që t’u mbyllnin gojën të arrestuarve që të mos zbulonin të gjithë bashkëpunëtorët.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, vijon njoftimi.

Nga hetimet, ka rezultuar se Ramazan Rraja dhe Plaurent Dervishaj janë të përfshirë edhe në një ngjarje tjetër kriminale. Dyshja kanë siguruar kushtet për t’i vënë tritolin në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të Luan Matës, babai i Ervin Matës. Gjithashtu, është zbuluar dhe se kush është autori i vrasjes së Mitri Priftit.

“Gjithashtu, ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.

Po kështu i pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 i Kodit Penal”, thuhet në hetimi i SPAK.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për një sërë veprash penale si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, “Vjedhja”,  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”,

Atentati ndodhi më 1 shtator 2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin Andi Maloku, prokurori Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho. Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital Andi Maloku, kurse Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024