“Prokuroria dhe policia kanë manipuluar provat”, gjykata rrëzon kërkesën e radhës të Belerit

Nga Armand Bajrami
29 Dhjetor 2023, 13:32 | Aktualitet

“Prokuroria dhe policia kanë manipuluar provat”, gjykata

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e radhës të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Këtë herë, Beleri kërkoi përjashtimin nga trupa gjykuese e gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjoka me pretendimin se janë treguar të njëanshëm në vendimet ndaj tij.

Në seancën e sotme u paraqitën në sallën e gjyqit 5 dëshmitarë, mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Arsen Rama.

Dëshmitarët e tjerë ishin banorë të Himarës, të cilët dhanë sqarime se kishin miqësi me Belerin dhe e takonin disa për shkak të fushatës zgjedhore e disa si bashkëqytetarë.

Ndërkohë, avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokurorisë së qytetit bregdetar.

Edhe vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime.

Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme një mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti të falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”, është shprehur ai në sallën e gjyqit.

Seanca e radhës gjyqësore për çështjen Beleri do të zhvillohet më 10 janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos