“Unë kam përshtypjen se të gjithë subjektet e rivlerësimit do të fitojnë në Gjykatën e Strasburgut sepse përbërja e institucioneve të rivlerësimit është kaq e keqe dhe kanë ndodhur kaq shumë gabime sa Strasburgu do të vendosë në favor të subjekteve”.
Kështu shprehej në një intervistë për A2 CNN Antoneta Secdari, në vitin 2020, kur edhe nisi betejën ligjore për të kundërshtuar shkarkimin e saj nga sistemi i drejtësisë.
Ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pretendonte që në fillim se shkarkimi i saj ishte një vendim i padrejtë dhe i urdhëruar. “Kam menduar se të parët që do të hynin në drejtësinë e re do të ishin sidomos anëtarët e Kolegjit të Apelimit. Unë jam çuditur kur njerëz që nuk plotësojnë as kriteret minimale, janë sot anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”, shprehej Sevdari.
Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut urdhëroi shtetin shqiptar që të dëmshpërblente Sevdarin me 24 600 euro, vendim i paralajmëruar ky nga prokurorja që në vitin 2020, kur thoshte se vendimet e padrejta në emër të vetingut do të përkthehen në fatura financiare për shtetin.
“Unë do të doja që pyetjet që Strasburgu i ka dërguar Shqipërisë t’u hapin sytë autoriteteve që të marrin masat e nevojshme që të rregullojnë të gjitha gabimet e rënda që janë bërë nga këto institucioneve. Në mënyrë që vendime të tilla, si në rastin tim, të mos përsëriten më”. (A2 Televizion)