Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 44%
  • Tre herë në javë 19%
  • Vetëm në fundjavë 4%
  • Asnjëherë 33%

2 mijë gra pa punë në 10 ditë. Rama takohet me Fasonët, qeveria hap “thesin” për të shpëtuar industrinë

Nga A2 CNN
17 Janar 2024, 10:33 | Ekonomi

2 mijë gra pa punë në 10 ditë. Rama takohet me Fasonët,

Vëmendja e dhënë nga qeveria “Rama”, veçanërisht në 2014-n bëri që numri i të punësuarve në industrinë e veshjeve dhe këpucëve deri në fund të vitit të shkuar të arrinte në 75 mijë.

Por sektori i manifakturës tanimë është zhytur në krizë dhe rrezikon falimentin, i goditur prej zhvlerësimit të euros dhe rritjes së kostove të fuqisë punëtore.

Dymbëdhjetë fasoneri të mbyllura në 10 ditët e fundit që kanë lënë të papuna rreth 2000 gra e vajza, kryesisht në qytezat e vogla të Shqipërisë, duket se kanë mjaftuar për të zgjuar qeverinë.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar, ditën e djeshme, një takim me përfaqësuesit e industrisë fasone për të diskutuar mbi nevojat për transformimin e sektorit dhe pas kësaj ka njoftuar një paketë me masa mbështetëse për kapërcimin e krizës aktuale.

Sipas njoftimit të shefit të qeverisë, për të amortizuar efektet e zhvlerësimit të euros, kompanive që operojnë në këtë treg do t’iu mundësohet rimbursim i shpejtë i TVSH-së përmes një kanali të dedikuar dhe do të ketë një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim.

Po ashtu, qeveria ka hedhur në tryezë planin për një garanci sovrane që do t’i hapte rrugën investimeve në teknologji dhe inovacion, ndërsa nëpërmjet një skeme financimi të posaçme do të ngrihet një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse për punonjësit e kësaj industrie do të ofrohen prej saj.

Takimi i Ramës me fasonët vjen vetëm katër ditë pasi kryeministri, gjatë përurimit të “Shtëpisë së Biznesit” te Piramida tha se “koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh”.

Rama e cilësoi të gabuar kërkesën e fasonëve për ndihmë nga qeveria, duke thënë se serumi nuk do të bëjë punë, ndaj kjo industri duhet të adaptohet me tregun dhe të bëhet konkurruese përmes produktit të saj.

Një temë e dhimbshme, situata e industrisë fasone në Shqipëri. Kjo ditë do vinte dhe nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Ne duhet si qeveri të shikojmë çfarë do t’ju ofrojmë ne atyre grave në Devoll që në rast se mbyllet një fabrikë sepse nuk ka bërë dot adaptimin, nuk ka futur dot elemente të tjera për të përballuar këtë goditje, atëherë këta njerëz të kenë një mundësi të re dhe mundësia e re do të thotë që t’ju japim mundësinë që t’i përshtaten tregut e të përfshihen në të tjera aktivitete të kësaj ekonomie”, tha shefi i qeverisë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi