Bilanci i luftës me valutën, mbi 12 fasoneri të mbyllura, gati 2 mijë gra e vajza pa punë në 10 ditë

Nga Marjo Brakaj
15 Janar 2024, 15:58 | Sociale

Kryesisht në Korçë, Bilisht, Cërrik, Fier e Tiranë... dymbëdhjetë fasoneri kanë ulur qepenat në 10 ditët e fundit duke lënë pa punë rreth 1800 gra e vajza. Zhvlerësimi i euros nga njëra anë, bashkë me rritjen e kostove të fuqisë punëtore nga tjera po shtyjnë drejt falimentit edhe të paktën 4 punishte në industrinë e veshjeve. Kjo do të bënte që të paktën edhe 370 gra e vajza të tjera të kalonin në asistencë sociale.

“Dita-ditës ka një rënie të theksuar, por edhe reduktim të subjekteve që realisht çon në një impakt social. Kjo pasi ne jemi të vetmit në zonat e thella ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike”, thotë Evin Prençe, Shoqata “ProExport Albania”.

Vëmendja e qeverisë së para “Rama”, veçanërisht në 2014-n bëri numri i të punësuarve në industrinë e veshjeve dhe këpucëve në fund të vitit të shkuar të arrinte në rreth 75 mijë. Thënë ndryshe, një në 10 të punësuar me rrogë në vend punon në sektorin e manifakturës, që duket se sot rrezikon më shumë edhe se gjatë mbylljes së madhe nga Covid-19.

“Në këtë udhëkryq, besoj se nuk kemi qenë kurrë më parë. Besoj se ky do të jetë viti i shkatërrimit të kësaj industrie nëse moskokëçarja e qeverisë do të vijojë”, thotë Florian Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.

“Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës ka marrë fund dhe taksat e shqiptarëve nuk do të përdoren për të zgjatur agoninë e disa kompanive”, argumenton kryeministri Rama duke treguar në një mënyrë braktisjen përfundimtare të fasonëve.

Nga ana tjetër, manifaktura ankohet se situata e krijuar nuk është për fajin e tyre, duke e drejtuar gishtin tregues të fajit te zhvlerësimi jo-natyral i euros. Po kush ka më shumë të drejtë në këtë histori?

“Do të thoja se të dyja palët kanë të drejtë dhe po i përdorin të vërtetat e tyre për të argumentuar kërkesat. Por e vërteta me më shumë rëndësi sot është se po ikën një sektor prodhues-eksportues. Ky është lajm i keq edhe për shtete me eksport ekspansiv e jo më për Shqipërinë me deficit të lartë tregtar”, shprehet Eduart Gjokutaj, ekspert kontabël.

A2CNN telefonoi për të pyetur mbi raportimet për faliment apo vështirësi të theksuara financiare për disa nga fasoneritë në vend. Pjesa dërrmuese e tyre konfirmuan mbylljen e aktivitetit, ndërsa disa të tjera paralajmëruan se në rast të mos-ndërhyrjeve nga qeveria, shumë punonjës do të dilnin në rrugë së afërmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos