Në vitin 2014, me ardhjen e saj në pushtet, qeveria Rama hartoi reformën territoriale, duke shkrirë dhe reduktuar në 61 numrin e bashkive.
Katër ishin objektivat e mëdha të synuara nga kjo reformë: pavarësia financiare e bashkive nga qeveria; menaxhimi më i mirë i fondeve; përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe kursimi i parasë publike nga ulja e numrit të punonjësve në administratë.
Por, çfarë ka ndodhur pas gati 10 viteve?
Të dhënat tregojnë se në vitin 2015, kur nisi zbatimi i reformës, bashkitë mblidhnin me mundësitë e tyre të ardhura sa 0,9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2022, kjo shifër ka arritur në 1,5%, me një rritje të nivelit të të ardhurave prej vetëm 0,6%, e cila i dedikohet kryesisht rritjes së taksave dhe tarifave vendore.
Por, sa para ka dhënë qeveria për bashkitë gjatë këtyre viteve?
Në vitin 2015, qeveria jepte fonde për pushtetin vendor sa 2,7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa në vitin 2022, që është edhe e dhëna e fundit zyrtare, kjo shifër ka arritur në 3,5%, me rritje gati 30%. Qartësisht duket se qeveria ka dhënë më shumë para për bashkitë, duke rritur varësinë e tyre financiare nga pushteti qendror.
Por, si i kanë përdorur bashkitë paratë në dispozicion?
Në vitin 2015, kur nisi reforma, 38% e totalit të fondeve shkonin për investime dhe pjesa tjetër ndahej në mënyrë të barabartë mes pagave dhe shpenzimeve të tjera operative të administratës. Sot, situata rezulton e përmbysur tërësisht. 43% e totalit të fondeve shkojnë për paga për personelin; 37% për shpenzime të tjera operative, ndërsa investimet janë reduktuar në 20%. Duket qartë se fondet nuk janë përdorur me eficencë dhe paraja publike nuk po shkon për investime publike, por për administratën e fryrë.
Por, administrata mbi kapacitet dhe investimet e pakta nuk janë problemet e vetme të bashkive. Borxhet janë këmbana tjetër e alarmit, me një stok të vjetër të ish-komunave dhe me detyrime të reja të krijuara rishtazi.
Në vitin 2015, borxhi i pushtetit vendor vlerësohej në 12,1 miliardë lekë. Gati një dekadë më vonë, është përgjysmuar, por nuk është zeruar. Madje, dy bashki, Vora dhe Kavaja, për shkak të keqmenaxhimit kanë kaluar nën administrimin e qeverisë, rreth 8 bashki të tjera janë në vështirësi serioze financiare. (A2 Televizion)