Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 39%
  • Tre herë në javë 22%
  • Vetëm në fundjavë 6%
  • Asnjëherë 33%

Bujqësia e “braktisur” nga bankat

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 18:51 | Ekonomi

Bankat u dhanë bujqve shqiptarë 568 milionë lekë kredi gjatë tetorit. Në raport me një vit më parë, kredia për sektorin më të madh të ekonomisë u rrit me 365 milionë lekë, apo 17,8%.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së mbështetjes, në raport me totalin e huave të dhëna, bujqësia zuri vetëm 1,85%.  

Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehet: “Faktori kryesor është mungesa e certifikimit të tokës, parcelizimi, informaliteti i lartë, mungesa e siguracionit, si edhe kosto e lartë e prodhimeve në mënyrë që planet e biznesit të dalin sipas kërkesave që kanë institucionet financiare”.

Marrë në harkun e 10 muajve, fermerët shqiptarë kanë mundur të marrin nga bankat 2,2 miliardë lekë kredi, nga 1,8 miliardë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. Hapja e sektorit bankar ndaj bujqësisë konsiderohet e rëndësishme nga përfaqësues të këtij sektori, veçanërisht pas pezullimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Europian dhe ulja e buxhetit në dispozicion për vitin e ardhshëm. 

“Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Duhet të ketë një hapje ndaj fermerëve edhe nga institucionet financiare jobanka, pra shoqëritë e kursim-kredisë”, theksoi Rrapaj.

Për të inkurajuar kreditimin e sektorit, deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar projektligjin “Për Dëftesat Tregtare Mbi Produktet Bujqësore.” Sipas relacionit të projektligjit, dëftesa tregtare do t’i mundësojë prodhuesit që pasi e ka çuar mallin te grumbulluesi, ta dorëzojë atë në një nga bankat në vend duke mundur të marrë kredi.
Agim Rrapaj u shpreh: “Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Shpresoj të mos jetë vetëm kjo, por edhe institucionet financiare premtuan se do të mbështesin me garanci sovrane sektorin”.

Ndonëse mbetet sektori që kontribuon më së shumti në ekonominë shqiptare me rreth 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, bujqësia vijon të mbetet një sektor i nënkredituar, gati i braktisur nga bankat.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi