Rritja e nivelit të pagave, investimet publike, pushteti vendor janë ndër zërat kryesorë ku qeveria ka fokusuar planin financiar per vitin 2024 . Por përballë një krize inflacioniste ku çmimet nuk po njohin rënie por vetëm rritje, ekspertët i shohin të lëna pas dore shtresat në nevojë.
“Është alokuar një vëmendje e madhe tek administrata është një vendim i drejtë, por një mungesë vëmendje ndaj shtresave në nevojë e cila do sjellë problematika në vijim që do i shohim. Mbetet për t’u theksuar që disa grupe mbeten në harresë dhe sidomos mbrojtja sociale është një ndër to, për mos të harruar që ka dhe një rritje çmimesh dhe sa suport është dhënë në shpenzimet familjare. Nuk është konsideruar mjaftueshëm ky impakt”, tha eksperti Selim Blliku.
Indeksimi i pensioneve, i parashikuar për 2024-ën në vlerën e 4.1 miliardë lekëve apo dhe bonusi i fundvitit, sipas ekonomistëve nuk pritet të justifikojë krizën inflacioniste që i ka prekur.
“Të indeksosh do të thotë ta lësh në të njëjtën gjendje atë familjen të konsumojë si më përpara, nuk sjellë asnjë përmirësim”, u shpreh pedagogia Elona Shehu.
Lajm i mirë vëmendja e qeverisë për buxhet ndaj bashkive, por sipas ekspertëve ato duhet të punojnë për shkëputjen e varësisë nga pushteti qendror.
“Po vazhdojmë të rrisim transfertat ndaj pushteti vendor ndaj fondeve speciale që janë dy gur që duhen menaxhuar ndryshe. Për aq kohë sa ke bërë një reformë administrative territoriale a duhet të reflektohet në reduktim të transfertave në mënyrë që ato të vetëqeverisen dhe të funksionojnë si institucione të cilat grumbullojnë të ardhura dhe përballojnë shpenzimet e tyre”, vijoi Shehu.
Por si vlerësohet buxheti i dedikuar për investimet publike për të cilat do të shpenzohen 1.2 miliardë euro?.
“Ajo që unë vë re nga buxheti në parim, shoh që nuk po rrisin nivelin e investimeve përkundrejt shpenzimeve korente. Pra trend rritës i shpenzimeve publike me gati 10% nga viti në vit por nuk reflektohet në rritje të normës së investimeve.”
Projektbuxheti 2024 është 1.1 miliardë euro më shumë se i vitit 2023, duke arritur vlerën e 7 miliardë eurove. (A2 Televizion)